Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Zhvillimi i turizmit përmes strategjisë komunale efektive

Një dialog gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e publikut, sektorit privat dhe autoriteteve komunale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e çdo sektori ekonomik, si turizmi, në një rajon të caktuar.

Më 22 mars 2019, Komuna e Prizrenit organizoi një dëgjim publik për të prezantuar draft-strategjinë për zhvillimin e turizmit në këtë komunë. Përfaqësuar nga nënkryetari i Komunës Eshref Memaj dhe Drejtoresha për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik Sevil Kazaz, autoritetet komunale theksuan angazhimin e tyre ndaj kësaj strategjie dhe inkurajuan diskutimin nga ana e pjesëtarëve të sektorit publik dhe privat se në ç’drejtim ecën kjo strategji.

Informacioni i detajuar mbi përmbajtjen e strategjisë që është hartuar duke u bazuar në modelin e St. Gallenit për menaxhimin e destinacionit u prezantua nga Agon Nixha, ekspert i angazhuar nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat për të lehtësuar procesin dhe për të bashkëpunuar me ekipin e përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Publiku i pranishëm në seancë bëri pyetje dhe sugjerime se si të përmirësohet strategjia.

Strategjia e turizmit për Prizren u mbështet nga Swisscontact në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve të zhvillimit të sektorit të turizmit.