Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Nisma për shërbime që përmirësojnë jetën e të gjithëve

Narta Neziri Nuka është nëna e re e një vajze 9-muajshe. Pas disa javësh, Narta e përfundon pushimin e lehonisë dhe do të rikthehet në punë. Si shumë gra të tjera në Kosovë, që janë në të njëjtën situatë me të, Narta u përball me opsionet në dispozicion të kujdedsit për fëmijë. Asaj iu desh të marrë vendim, gjë që nuk ishte dhe aq e lehtë.  

Sipas një hulumtimi për kërkesën, ofertën dhe opsionet për kujdes të fëmijëve në Kosovë që Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës bëri në vitin 2016, llogaritet se rreth 15.5% e fëmijëve në Kosovë shfrytëzojnë sistemin e kujdesit për fëmijë. Shërbimet publike të kujdesit për fëmijë që ekzistojnë aktualisht janë të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën, sidomos në kryeqytet, Prishtinë. Nga ana tjetër, mbizotëron mbështetja tek pjesëtarë të familjes për shërbime të papaguara të kujdesit.

Mund të tingëllojë e rëndomtë, por me ndryshimin e dinamikave shoqërore, kërkesa për shërbime cilësore të kujdesit për fëmijë në Kosovë po rritet. Krahas shkallës së lartë të papunësisë në mesin e grave, që llogaritet rreth 36.6% dhe përqindjes edhe më të lartë të grave që nuk janë aktive në tregun e punës, shërbimet e kujdesit për fëmijë të ofruara nga sektori privat shndërrohen në një mundësi të jashtëzakonshme për punësim.  

 

Për të vepruar lidhur me këtë situatë u trajtuan dy aspekte: gratë dhe burrat të pajisen me shkathtësi që iu ndihmojnë të gjejnë punë si kujdestarë për fëmijë dhe me anë të këtyre shërbimeve, të kursejnë kohën që gratë shpenzojnë në aktivitete riprodhuese, duke e rritur kështu rolin e tyre prodhues. Kështu, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, përmes Projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, hyri në partneritet me Shoqatën Afariste e Grave SHE-ERA për ofrimin e një programi të specializuar trajnimi për shërbime të kujdesit, përfshirë kujdesin për fëmijë.

92 persona, prej të cilëve 2 burra, tashmë e kanë përfunduar këtë program. Ky grup janë kujdestarët e ardhshëm të fëmijëve, që do të punësohen nga familjet ose institucionet arsimore. Këta ofrues të trajnuar të kujdesit për fëmijë i vënë shkathtësitë e tyre esenciale për rritjen e fëmijëve në të mirë të të gjithëve, bashkë me prindërit, familjet dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Me shërbimet e tyre, ata do të ndihmojnë për të liruar kohën që gratë e kalojnë me punë shtëpia të papaguar, duke iu mundësuar të gjejnë punë me pagesë jashtë shtëpisë. Ky është kontribut për fuqizimin ekonomik të gruas.

Kur Narta dëgjoi për programin e trajnimit nga SHE-ERA, ajo vendosi të punësojë një nga kujdestaret e sapo-diplomuara. “Më pëlqen fakti se ky shërbim ofron siguri dhe kujdestarë të trajnuar” tha ajo. Narta intervistoi disa kandidatë dhe menjëherë e kuptoi se Besarta ishte e duhura për foshnjen e saj. Besarta Berisha, aktualisht ndjek studimet master për sociologji të edukimit dhe është e lumtur me punën e saj të re. Në tetor 2017 ajo nënshkroi kontratën e punësimit. Që të dyja do të fillojnë një rrugëtim të ri, secila në drejtimin profesional që ka përzgjedhur.

Në fund të fundit, inovacioni nuk ka të bëjë vetëm me kodim apo zhvillim të aplikacioneve. Inovacion është sjellja e një produkti apo shërbimi të ri që ofron zgjidhje për nevojat dhe kërkesën ekzistuese.