Ivana Božić, Fasilitatore për Gjithëpërfshirje Sociale
Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat
(ang. Promoting Private Sector Employment – PPSE)
Që nga viti 2014, roli im brenda Swisscontact-it ka qenë të punoj së bashku me ekipet, për të siguruar që gjithëpërfshirja sociale dhe mbështetja e pakicave të jenë të efektshme në kuadër të intervenimeve të projektit, kurdoherë që është e mundur.
Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë, aplikon qasjen për Barazinë Gjinore dhe Gjithëpërfshirjen Sociale (BGJGJSH), në kuadër të intervenimeve dhe aktiviteteve të projektit. Objektivat janë promovimi i barazisë dhe gjithëpërfshirja e komuniteteve etnike të përjashtuara nga shoqëria, si dhe gjithëpërfshirja e grave, duke bashkëpunuar me akterët e sektorit privat dhe publik për të mbështetur iniciativat që kanë potencial të lartë për punësim dhe rritje në aktivitetet e zinxhirit të vlerës. Objektivi për zhvillim të qëndrueshëm i Kombeve të Bashkuara, që lidhet me reduktimin e pabarazisë kërkon përfshirje më të madhe ekonomike të të varfërve dhe shërben si parim udhëzues i punës sonë. Megjithatë, mënyra se si bizneset dhe institucionet u japin mundësi dhe zhvillim ekonomik popullatës së përjashtuar nga shoqëria, sfidon në mënyrë të konsiderueshme parimin e drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes sociale.
Fillimisht, të kuptuarit e gjithëpërfshirjes sociale nga ana ime, ishte se ne jemi të gjithë të barabartë dhe kemi të njëjtat të drejta për të marrë përsipër jetën tonë përmes aktivizimit dhe kështu të marrim përgjegjësinë për jetën tonë. Prandaj, pikënisja ishte kuptimi i këtyre parimeve dhe përpjekja për të adresuar sfidat dhe për të ofruar mundësi në kuadër të mandatit të projektit PPSE. Sfida ime kryesore ka qenë të ndikoj pozitivisht në qëndrimet, normat sociale dhe sjelljet e individëve, institucioneve dhe komuniteteve në lidhje me rëndësinë e gjithëpërfshirjes ekonomike.
Meqenëse liderët duhet të adresojnë “dobësitë ” dhe të ndryshojnë sjelljet personale për të udhëhequr në mënyrë efektive procesin e gjithëpërfshirjes, unë fillova duke ndryshuar perceptimet e mia duke përfshirë një angazhim më të gjerë të kolegëve të mi dhe partnerëve të projektit rreth rëndësisë së diversitetit dhe gjithëpërfshirjes sociale. Gjatë përgatitjes së strategjisë së PPSE-së për gjithëpërfshirjen sociale në intervenim, njohuritë e mia janë zgjeruar, duke e kuptuar rëndësinë e madhe të gjithëpërfshirjes së grupeve të synuara në identifikimin dhe hartimin e intervenimeve, duke i lejuar grupet e synuara të marrin pronësinë mbi procesin e zbatimit. Duke marrë parasysh se të mësuarit dhe të kuptuarit e sfidave dhe çështjeve të grupeve të përjashtuara nga shoqëria është një proces i gjallë pasi sistemi ekonomik është dinamik, progresi shpesh nënkupton krijimin e pengesave të reja, veçanërisht për grupet e cenueshme.
Progresi ekonomik dhe globalizimi ofrojnë mundësi për ata që janë mjaft të fortë për t'i kuptuar dhe për të përfituar prej tyre, por marrëdhëniet dhe lidhjet e reja të krijuara gjatë procesit mund të jenë një kërcënim i madh për prodhuesit më të dobët dhe aktorë të tjerë më të vegjël të tregut. Ka shumë arsye pse aktorët më margjinalë të tregut, siç janë komunitetet etnike dhe gratë, janë të përjashtuara nga përfitimet e zhvillimit ekonomik dhe social. Për të synuar siç duhet kufizimet me të cilat përballen këto komunitete për të hyrë në tregje dhe për të përfituar nga zhvillime të tilla, duhet të kihet parasysh se nuk ka një zgjidhje që i përshtatet të gjithëve.
Me këtë mendësi mund të fillohet në mënyrë efektive të identifikohen sfidat e ndryshme dhe unike me të cilat përballet çdo komunitet etnik ose grup i cenueshëm, dhe rrjedhimisht të ofrohen zgjidhje të qëndrueshme afatgjata.
Pas shumë viteve pune duke punuar ngushtë me grupet dhe komunitetet e përjashtuara nga shoqëria në Kosovë dhe rajon, faktorët e përbashkët mbizotërues që kam identifikuar janë pasiguria dhe cenueshmëria, pasi të ardhurat e ulëta dhe diskriminimi e bëjnë planifikimin afatgjatë shumë sfidues. Izolimi ekonomik dhe social nga aktivitetet kryesore, i kombinuar me aspiratat dhe pritshmëritë e ulëta, ndikojnë në aftësinë e tyre për të ndryshuar rrethanat e jetës. Kjo kërkon përfshirje më të gjerë të palëve të interesuara dhe vënien në dispozicion të burimeve për të siguruar veprime të koordinuara dhe strategjike.
Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh shpesh. Shumë veprime ad hoc dhe sporadike nga institucionet politike dhe sociale, dhe nganjëherë edhe projektet e donatorëve, nxiten nga paramendimi se komunitetet e margjinalizuara dhe grupet e cenueshme mund të kenë sukses vetëm nëse u jepet trajtim preferencial. Kjo lloj qasje krijon një ndjenjë të pamjaftueshmërisë personale dhe të komunitetit që çon në pritshmëri të ulëta nga ata që janë "rojtarët" e burimeve kryesore. Në vend të kësaj, krijimi dhe përmirësimi i mekanizmave që shfrytëzojnë fuqinë e diversitetit dhe mundësojnë pjesëmarrjen aktive të njerëzve në jetën politike, ekonomike dhe sociale duhet të jetë mendësia me të cilën ne i qasemi gjithëpërfshirjes.
Pavarësisht sfidave, kontributi në proceset e gjithëpërfshirjes sociale dhe barazisë gjinore mund të jetë një privilegj profesional dhe një përvojë përmbushëse personale.