Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Rishikimi i organizimit të brendshëm të kompanive

Çfarë e bën kompaninë tuaj që të veçohet si një kompani e suksesshme duke marrë parasysh zhvillimet e shpejta të botës së sotme të biznesit? Si mund ta arrijë dhe ta mbajë atë status një kompani? Si vlerësohet zhvillimi i inovacionit, investimi i duhur, rritja e prodhimit dhe zgjerimi i kompanisë përmes menaxhimit të duhur të aseteve kryesore të firmës – burimeve njerëzore?

Eksperienca dhe studimet nga PPSE mbi zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme tregojnë se është tejet e rendësishme që kompanitë të kenë një organizim të brendshëm të duhur dhe metoda moderne të qeverisjes organizative. Përdorimi i parimeve bashkëkohore të qeverisjes në strukturat dhe metodat e ndërmarrjeve të vogla e të mesme është faktor kyç i zgjerimit të kompanive e krijimit të vendeve të reja të punës.

Përmirësimi i organizimit të brendshëm vjen si rezultat i punësimit dhe promovimit që nënkupton një shumëllojshmëri dhe efikasitet të burimeve njerëzore si dhe inkuadrim më të lartë të rinisë e grave në sektorin privat. Poashtu, kjo mundëson edhe ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe pajtueshmërisë. Për më tepër, ndërton besim të ndërsjelltë, korrektësi dhe përgjegjësi jo vetëm mes pronarëve, por edhe mes palëve tjera të ndërlidhura. Pra, kjo strategji merr formën e një hapi paraprak që çon në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik e social.

PPSE zbaton qasjen e Zhvillimin të Sistemit të Tregut (MSD) duke synuar promovimin dhe prezantimin e produkteve inovative përmes pjesëmarrësve që sjellin ndryshim duke përdorur modele gjithpërfshirëse, të shkallëzuara dhe të qëndrueshme të biznesit. Si fillim, ne testojmë bazën e tregut duke përkrahur pjesëmarrësit e sektorit privat për pilotimin e produkteve e shërbimeve të tyre inovative, e pastaj promovojmë storiet e suksesit të produkteve të suksesshme e inovative të ndërmarrjeve të vogla e të mesme të cilat influencojnë ndryshimet sistematike të sjelljes së tregut.

Një nga intervenimet e PPSE-së në zhvillimin dhe qeverisjen e sektorit privat ishte që të mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme të Kosovës, e sidomos ato që operojnë në fushën e prodhimit të ushqimit dhe të turizmit duke iu zhvilluar atyre organizimin e brendshëm i cili konsiderohet si një hap drejt zhvillimit të performancës dhe zgjerimit të firmës.

 

Në bashkëpunim me Recura, u dizajnua një program i veçantë që iu referohet nevojave të secilës prej ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Ky program paraqet trajnime mbi organizmin e brendshëm dhe qeverisjen korporative të kompanive që iu prezantua drejtuesve, pronarëve e menaxherëve të kompanive, si dhe trajnime të brendshme e trajtime të veçanta të qeverisjes korporative.

Programi tani shërben si një shembull i shkëlqyer për të kuptuar metodat e qeverisjes së duhur korporative dhe organizimit më të mirë të brendshëm të kompanive të cilat i ndihmojnë kompanitë që të arrijnë progres në rrugëtimin e tyre drejt realizimit të objektivave; në tërheqjen e investimeve; në përmirësimin e performancës së tyre; si dhe në integrimin e tyre në tregje e rrjete të rëndësishme të bizneseve. Efektet e këtij programi vihen re edhe përtej seancave përkatëse të tij. Përderisa ndërmarrjet e vogla e të mesme të cilat ishin pjesë e programit tashmë zbatojnë metodat e duhura të organizimit të brendshëm të tyre, kërkesa për shërbime të tilla vazhdimisht po rritet.

Disa nga përfitimet e pritshme nga ky program:

  • Përmirësimi i performancës, konkurrueshmërisë, profitabilitetit dhe vlerës afatgjatë të kompanisë
  • Përmirësimi i produktivitetit dhe shumëllojshmmërisë së burimeve njerëzore
  • Përmirësimi i procesit të vendimmarrjes
  • Definimi dhe implementimi i drejtimit dhe strategjive korporative
  • Ndarja e përpiktë e përgjegjësive dhe pozitave të punës
  • Ngritja e strukturave të kontrollit të brendshëm
  • Ndërtimi i reputacionit dhe besimit përmes forcimit të marrëdhënieve mes palëve