Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Intervistë me Lendita Hysenin, themeluese e “Kosova Outdoor”

Eksperienca të paharrueshme nga Kosova për turistë nga e gjithë bota 

Si përkrahëse e fuqishme e turizmit të qëndrueshëm, Lendita Hyseni dhe kompania e saj – operator turistik “Kosova Outdoor” promovon oferta që prezantojnë vlerat kulturore, trashëgimore dhe natyrore të Kosovës. Me anë të këtyre ofertave ajo synon edhe të ndikojë pozitivisht në rritjen e mirëqenies së njerëzve të përfshirë në zinxhirin e turizmit në vend. 

Cila ishte shtysa për të t’i dhënë jetë “Kosova Outdoor”?

Unë kam lindur në Pejë, apo “qytetin e gjelbër”, të rrethuar nga malet magjepsëse. Peja shquhet për traditë të pasur kulturore. Qysh nga fëmijëria më ka lindur dashuria për malin dhe pasioni për gatimet tradicionale. Dëshira që këto bukuri që na rrethojnë dhe vlerat që kemi t’ua tregoj edhe turistëve të huaj, më kanë shtyrë që të merrem me turizëm.

Kështu, qysh në vitin 2010 kam qenë e angazhuar intensivisht në projekte të ndryshme për zhvillimin e infrastrukturës së turizmit rural dhe malor, por edhe e produkteve të tjera turistike atraktive, që sjellin turistë në Pejë dhe në Grykën e Rugovës. Në vitin 2014 vendosa që ta hap biznesin tim, që është një ndër operatorët e parë turistikë “inbound” (turistë që vijnë në Kosovë) në Kosovën Perëndimore. 

Cilat janë aktivitetet kryesore të “Kosova Outdoor”?

Aktivitetet kryesore që ofroj përmes biznesit tim janë ekspeditat ndërkufitare që promovojnë turizmin e qëndrueshëm dhe u ndihmojnë ekonomive familjare përgjatë shtegut të lëvizjes. Gjithashtu, bëjmë promovimin e gatimeve tradicionale dhe të produkteve vendore. 

Ku i zhvilloni kryesisht aktivitetet tuaja? 

Meqë jam pejane, aktivitetet i filloj në qytetin tim, që ofron shumë produkte aktraktive, përplot adrenalinë, aventurë, kulturë dhe traditë. Peja ka shumë për të ofruar për të gjitha moshat. Për ata që preferojnë sportet ekstreme kemi Via Ferratat, Zipline, Parkun e Aventurave, ecje nëpër shtigje të ndryshme në Grykën e Rugovës. Por edhe për adhuruesit e monumenteve kulturore apo degustimin e gatimeve tradicionale, ne ofrojmë shumë në qytet dhe nëpër bujtinat në Rugovë e Pejë.  

Si duket një tur i zakonshëm me “Kosova Outdoor”?

Ofertat e mia kryesisht janë ecje malore ndërkufitare, ku si qëllim kryesor kemi turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Ne synojmë t’u mundësojmë vizitorëve ta përjetojnë traditën dhe kulturën e vendeve nëpër të cilat kalojmë. Ata i akomodojmë nëpër bujtinat dhe stanet përgjatë shtegut. Nga ana tjetër, ky lloj turizmi i kontribuon mirëqenies dhe qëndrueshmërisë ekonomike të popullatës në zonat malore dhe rurale. 

Gjithashtu, një ndër ofertat më atraktive është degustimi i produkteve vendore dhe gatimeve tradicionale. 

Nga ju vijnë kryesisht turistët? 

Turistët i kemi nga vende të ndryshme të botës, kryesisht italianë, gjermanë, turq dhe anglezë. 

“Kosova Outdoor” është ndër promovueset më të mëdha të ushqimit tradicional dhe “slow food”. Na tregoni edhe për këtë aspekt të punës tuaj.

Në vitin 2015 kemi themeluar lëvizjen “Slow Food Dukagjini”. Kjo lëvizje është krijuar nga një grup vullnetarësh, të cilët janë fermerë, kuzhinierë, profesionistë të fushës së mjedisit, pronarë të bujtinave, profesionistë të turizmit dhe të tjerë. Që të gjithë këta janë të pasionuar për produktet lokale dhe gatimet tradicionale. Grupi ynë mbështet filozofinë e slow food, që është “GOOD, CLEAN AND FAIR” (të mira, të pastra dhe të prodhuara përmes praktikave të drejta). 

Përgjatë viteve kemi një bashkëpunim shumë të mirë mes shteteve të Ballkanit. Kemi qenë mjaft aktiv në organizime të ndryshme për promovimin e produkteve vendore. Vlen të theksohet aktiviteti “Terra Madre Balkans”, që është mbajtur në vitin 2018 në Parlamentin Evropian në Bruksel. Po ashtu, kam marrë pjesë edhe nëpër panaire të ndryshme ndërkombëtare, si “SALONE DEL GUSTO” në Itali, apo dhe në fushtata të ndryshme të organizuara nga “Slow Food International”, ku kemi promovuar Kosovën dhe produkte dhe gatime tradicionale. 

Si rezultat i bashkëpunimit të mirë me “Slow Food International”, kam krijuar një ofertë turistike ndërkufitare “Shtegu i shijes”, ku vizitorët kanë mundësinë të degustojnë produkte të cilat janë të listuara në “Arkën e Shijes”, si dhe të akomodohen në fermat që i prodhojnë këto produkte të veçanta. 

Bujtina “ARIU” në Rekë të Allagës dhe bujtina “Shqiponja” në Drelaj, janë të parat që kanë filluar të praktikojnë akomodimin familjar, qysh në vitin 2008. Që të dyja këto bujtina janë pjesë e “Slow Food Dukagjini”. Këto bujtina gjenden në fshatrat ku kalon shtegu ndërkufitar “Majat e Ballkanit” dhe “Via Dinarica” dhe përgjatë viteve, janë bërë shumë të frekuentuara nga turistët. 

Me bujtinat kemi bashkëpunim shumë të mirë, sepse e praktikojnë konceptin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovojnë vlerat dhe traditat e Rugovës. Kjo praktikë e pasuron shumë ofertën turistike që ne e ofrojmë. 

Pandemia ka patur ndikim negativ në sektorin e turizmit dhe na ka sjellë dëme të rënda për bizneset në këtë fushë. Mbetemi me shpresë se këtë verë do të fillojë stabilizimi i situatës globale dhe do të rikthehet puna, të cilën e bëjmë me kënaqësi dhe profesionalizëm. 

Bujtina ARIU ka një fermë me 30 lopë dhe prodhojnë produkte qumështi të cilësisë së lartë. Pronarja e kësaj bujtine dhe ferme, Fetije Nikqi, i përdor këto produkte bio në gatimet e saj tradicionale, që janë shumë të shijshme dhe pëlqehen jashtëzakonisht shumë nga turistët e huaj, por edhe ata vendorë. 

Bujtina Shqiponja ka një fermë të vogël dhe një kopsht ku prodhojnë perime dhe fruta bio. Pronarja, Xhevahire Shala, është kuzhiniere dhe mikpritëse e shkëlqyer.