Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Gratë fermere u trajnuan me sukses përmes platformës Viber

 Në fillim të vitit 2020, Arbesa Lushtaku Veliu, agronome e sapodiplomuar, filloi punën në kompaninë Agroflorentina që merret me grumbullimin, kultivimin dhe përpunimin e kërpudhave të egra, frutave të pyllit dhe bimëve aromatike.

 Vetëm disa muaj pasi nisi punën e saj të parë, gjithçka ndryshoi për shkak të pandemisë së COVID-19. Kufizimi i lëvizjeve dhe masat e shtuara për kujdes shëndetësor trazuan jetët e të gjithëve. Për gratë rurale, kjo nënkuptonte më pak mundësi për punë fitimprurëse, madje edhe më pak qasje se më parë në mundësi trajnimi, rrjetëzimi dhe perspektiva të reja.

 Bashkë me 26 gra të tjera që merren me kultivimin e bimëve mjekësore aromatike (BMA) në të gjithë Kosovën, në fillim të sezonit të verës Arbesa u regjistrua në një trajnim 4-javor për menaxhimin e kultivimit të BMA-ve. Ky trajnim zhvillohet rregullisht nga Shoqata e Përpunuesve dhe Eksportuesve Kosovarë të Produkteve Pyjore Jodrusore ORGANIKA. Por këtë vit pati një vëshirësi: COVID-19.

 Zgjidhja ishte e qartë, të ofrohej trajnim online. Mirëpo, përdorimi i platformave online më të avancuara për trajnim kërkon një shkallë të caktuar të familjarizimit me to dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve të kësaj teknologjie. “Gratë që jetojnë në zonat rurale nuk munden gjithnjë të gjejnë kohë dhe të përcjellin ligjëratat online në orarin e caktuar, për shkak të ngarkesës me punë dhe detyrimeve të ndryshme në fermë dhe ekonomi familjare” thotë Faton Nagavci, Drejtori Ekzekutiv i ORGANIKA-s.

 Zgjidhja që u gjet ishte sa e thjeshtë, aq edhe krijuese: trajnimi u mbajt përmes Viber-it, softuer për shkëmbime mesazhesh në kohë reale që është mjaft i popullarizuar në Kosovë, e sidomos përdoret nga gratë në zonat rurale.

 ORGANIKA krijoi pesë grupe në Viber, nga një grup për pjesëmarrëset e secilës kompani. Materialet e përgatitura për trajnimin ishin të përshtatshme për Viber në formatin e videove të shkurtra shpjeguese, posterave dhe këshillave në formë teksti. Ndarja në grupe e bëri më të lehtë diskutimin mes pjesëmarrëseve, ato e kishin më të lehtë të kërkonin sqarime apo informata shtesë lidhur me materialet në video.

 Arbesa thotë “trajnimi ishte shumë i dobishëm, sidomos për gratë e përfshira në kultivim. Duke qenë se sapo kam nisur të mësoj për menaxhimin e fermës, mësova shumë për kultivimin dhe mbajtjen e shënimeve. Mënyra si u mbajt trajnimi ishte e duhura, ndoshta edhe më e kuptueshme se sa thjesht të dëgjonim ligjërata. Dhe platforma e përzgjedhur, Viber, ishte e duhura, pasi ishte shumë e lehtë për pjesëmarrëset që ta përdorin. Ato janë shumë të kënaqura me programin”.  

 Hanumshahe Veseli është një nga fermeret e Agroflorentinës, e cila punon me Arbesën. Familja e saj nisi kultivimin e BMA-ve në tokën e tyre dy vjet më parë. “Trajnimi ishte shumë i dobishëm. Nuk kam humbur asnjë pjesë, sepse i kemi pranuar videot në telefonin mobil dhe kisha më shumë kohë të fokusohesha. Pra, ishte më e lehtë për mua ta mbaja mend informacionin dhe këshillat. Madje edhe burri im e studioi materialin”.  

 Të 27 pjesëmarrëset në trajnim ndajnë të njëjtin mendim për pikat kyçe që u kanë pëlqyer më shumë nga programi: ato mund t’i shikonin videot sa herë kishin kohë të lirë, pra nuk kishin nevojë ta ndërprisnin punën; videot ishin më tërheqëse se sa ligjëratat online, madje videot i kanë ruajtur në telefonat mobilë për t’i parë sërish, sa herë të kenë nevojë ta freskojnë informacionin.

 “Trajnimi u zhvillua në kohën e duhur, kur sa do të fillonin me kultivimin dhe menaxhimin e parcelave organike” thotë Havushe Bunjaku, pronare e 99LULE, kompani që merret me grumbullimin e BMA-ve dhe bashkëpunon me rrjetin e grave fermere. Gjashtë gra nga rrjeti i 99LULE e ndoqën trajnimin, madje u bashkëngjitën edhe pjesëtarët e familjeve të tyre, thotë Havushja.

 “Ato u gëzuan shumë që një organizatë po mendonte për to në një kohë aq të vështirë, duke u dërguar materiale për t’iu ndihmuar në punën e tyre. Grupet në Viber mundësuan më shumë diskutime dhe rrjetëzim ndërmjet grave fermere, duke i inkurajuar që të provojnë kultivimin e kulturave të reja” thotë Havushja. Asaj i kanë pëlqyer shumë videot që shpjegonin se si mbahen shënimet për fermën në fletore të ndryshme dhe planifikon që këtë informacion ta përdorë edhe në trajnimet që ajo vetë i mban për fermeret.

 “Videot ishin të qarta, kuptoheshin lehtë dhe informacioni shpjegohej shumë mirë. Janë interesante për t’i parë disa herë” thotë Havushja.

 Në total u zhvilluan 20 video që u shpërndanë tek të gjitha pjesëmarrëset. Tashmë, një nga kompanitë pjesëmarrëse ka filluar ta përdorë të njëjtin model dhe stil për të prodhuar videot e tyre shpjeguese si pjesë e serisë së titulluar "Edukimi i së Shtunës", duke kontribuar kështu në shpërndarjen e mëtejshme të informacionit të dobishëm dhe të paraqitur në format që konsumohet lehtë. Një kompani tjetër pjesëmarrëse po zhvillon programin e vet për trajnimin e gravë fermere të rrjetit duke përdorur material nga videot.

 Përmes këtij trajnimi, gratë fermere të MAP-ve nga e gjithë Kosova patën një mundësi për të fituar më shumë njohuri dhe rrjet edhe gjatë bllokimit dhe periudhës së kufizuar të lëvizjes.

 Për këtë program trajnimi, ORGANIKA u mbështet nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. PPSE e mbështet sektorin e BMA-ve me aktiviteteve të dizajnuara sipas nevojave të tyre, përfshirë kultivimin dhe përpunimin dhe certifikimin organik. Si sektor në rritje, mbështetja e PPSE-së synon të nxisë punësimin dhe gjenerimin e të ardhurave si në nivelin primar, ashtu edhe në atë të përpunimit të të gjithë zinxhirit të vlerave.