Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Bujtina e miliona yjeve

Të jetosh disa ditë në zemër të natyrës së paprekur, larg përditshmërisë, pa sinjal në mobil dhe pa internet, të pish ujë të freskët burimi, të shijosh produktet e freskëta të staneve, është padyshim një përvojë e paharrueshme. Rrugëtimi për një aventurë të tillë të çon në bujtinat ku ruhen traditat shekullore të mikpritjes malësore.

Destinacioni i kësaj vere është lokacioni Zllanopojë, Roshkodol pranë Bjeshkëve të Nemuna. Kryesisht, turistët arrijnë në këtë pikë të largët në këmbë ose kuaj, pasi bujtinat dhe stanet e kësaj janë pjesë e itinerarit të “Majave të Ballkanit” (Peaks of the Balkans) dhe “Via Dinarica”. Gjatë muajve të verës atje mund të shkosh dhe me xhip dhe rruga që ndiqet nëse pikënisja është Deçani është një mrekulli e natyrës së egër e që nuk duhet humbur.  

Udhëtimi nga Deçani zgjat rreth 1.5 orë nëpër rrugë malore të paprekura nga dora e njeriut për të arritur në bujtinën “Lojza”. Prej disa vitesh, kjo bujtinë mirëpret me mijëra turistë të huaj nga rajoni, diaspora dhe e gjithë bota, të cilët vijnë këtu në kërkim të aventurës, njohjes së kulturave të reja dhe autenticitetit të përvojave si udhëtarë. 

Sapo të shfaqet para syve, Bujtina “Lojza” menjëherë të krijon ndjesinë e mikpritjes. E ndërtuar kryesisht me dru, dy katet e bujtinës ofrojnë krejt çka është e nevojshme për turistët: shtretër të rehatshëm, odën për të kaluar orë të tëra me biseda të hareshme, bylmet të freskët nga stanet përreth, ushqim tradicional dhe mbi të gjitha, atmosferë miqësore. Veranda e bujtinës është vendi ideal për t’u freskuar pas ecjes disa-orëshe për të mbërritur këtu. 

Zeki Ahmetgjekaj, pronari i bujtinës, kalon këtu së paku gjashtë muaj në vit dhe pret mysafirë nga e gjithë bota. Ai tregon se para pandemisë, ka patur deri mbi njëmijë vizitorë dhe secili është larguar prej aty me përshtypjet më të mira për bukuritë, kulturën dhe mikpritjen e Kosovës. Jo rrallëherë, posta i sjell në Pejë, ku ai jeton gjatë dimrit, kartolina dhe suvenire nga mysafirët. “Një turiste japoneze më ka dërguar pikturën që ka bërë e frymëzuar nga bujtina dhe peisazhi këtu rrotull” tregon Zekiu. 

Me përvojë të gjatë në fushën e gastronomisë dhe adhurues i natyrës dhe i pushimeve në bjeshkë, disa vite më parë Zekiu vendosi të jetë pjesë e zhvillimit të turizmit malor në Kosovë. Me bashkëshorten dhe djemtë e tij, nga maji deri në tetor ata menaxhojnë bujtinën, presin e përcjellë turistë dhe promovojnë para të gjithë botës Kosovën dhe Bjeshkët e Nemuna, si destinacion që nuk duhet humbur kurrsesi. 

Jeta në bujtinën “Lojza” është e thjeshtë. Mëngjesi nis herët me pjata të shijshme dhe të ushqyeshme, që turistët të marrin energjinë e nevojshme për ecjen disaorëshe nëpër male: bukë, vezë, djathtë, reçel, qumësht, të gjitha produkte të freskëta të vendit. Zekiu përgatit sanduiçë që turistët marrin me vete për ditën. Darka e pasur po ashtu shpalos gamën e shijeve traditionale: fasule, mish, fli, pite të ndryshme, kos dhe sallata të freskëta. 

“Këtu nuk ka internet, nuk ka sinjal për mobil. Jemi ne dhe natyra. Kohën e kalojmë të gjithë bashkë. Turistët e huaj kanë dëshirë të mësojnë të përgatisin ushqimin si ne dhe me ndihmojnë me përgatitjen e mëngjesit ose darkës. Pas darkës, lëshojmë muzikë, pimë, luajmë me shigjeta e harqe këtu në lëndinë” e përshkruan Zekiu një ditë të zakonshme në “Lojza”. 

“Shpesh, turistët kërkojnë të flenë jashtë, këtu në lëndinën para bujtinës. Ata thonë ‘të shijojmë gjumin në bujtinën me miliona yje’”, tregon Zekiu.  

Përveç se ofron prehje e strehë për turistët, bujtinat sikurse “Lojza” që janë ngritur kohëve të fundit nëpër bjeshkët e kësaj anë janë një shtysë edhe për ekonominë lokale, e sidomos stanet dhe banorët e fshatrave pranë, të cilët shesin produktet e tyre apo angazhohen në punë sipas nevojës në këto bujtina. 

Vera e vitit 2020 ishte më e vështirë për bujtinën “Lojza”, ashtu si për të gjithë sektorin e turizmit në mbarë botën. Për shkak të pandemisë dhe mbylljes së mundësive për udhëtim, grupet ankuluan rezervime dhe pati shumë pak udhëtarë spontanë. 

Këtë vit, Zekiu shpreson që situata do të rregullohet. Ai e ka shfrytëzuar kohën pa mysafirë për të renovuar bujtinën dhe për të ndërtuar një kuzhinë të re. “Vitin e kaluar, me mbështetje nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, kemi rregulluar kuzhinën që të ofrojmë kushte edhe më të mira për turistët” tregon Zekiu. 

Mesdita në lëndinën e “Lojzës” ngjan si një çast magjik. Bjeshkët e Nemuna që lartësohen mbi bujtinë, pylli i qetë dhe i dendur, rrjedha e ujit të pastër të burimit të përngjajnë me peisazhe përrallash dhe nuk habitesh nëse nga sheh orët dhe zanat e malit të zbresin duke lodruar nga shkrepat përreth. Destinacioni i përkryer për të kaluar disa ditë të qeta e të paharrueshme me familjen ose shoqërinë.  

Box 1 

Pwr tw rezervuar nw Bujtinwn “Lojza”, kontaktoni Zeki Ahmetgjekajn:

FB: https://www.facebook.com/GuesthouseLOJZA

Mobil: +38349850857