Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Vazhdon prodhimi i lëngjeve artizanale nga frutat e imta për të përmbushur kërkesën e rritur

Me ardhjen e prillit, Afërdita Murati, pronare e kompanisë Kastrioti që merret me prodhimin e lëngjeve të freskëta të shtrydhura dhe reçelit nga frutat e imëta u përball me rritje të kërkesë së klientëve për produktet e saj. Vetëm këto ditët e fundit ka prodhuar rreth 700 litra lëng të freskët nga aronia, boronica e pyllit dhe manaferrat.

Për shkak të rritjes së vëllimit të punës, Afërdita dhe ekipi i saj po punojnë me më shumë ndërrime gjatë javës dhe sipas nevojës, ajo angazhon dy punëtorë me kohë të pjesshme, në mënyrë që të përmbushë kërkesën në rritje. Afërdita e ka më të lehtë tani ta përballojë rritjen e kërkesës për shkak të kapaciteteve të përmirësuara të përpunimit (me makineri për mbushjen dhe mbylljen e shisheve) që ajo ka siguruar me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat.

"Në ditët e para të ndalimit të lëvizjeve, njerëzit ishin më të fokusuar në blerjen e artikujve thelbësorë. Tani, kërkesa për produktet e mia po rritet, sepse ato ndihmojnë në forcimin e imunitetit” thotë Afërdita.

Edhe pse tregu që dikur ishte pika e saj kryesore e shitjes tani është e mbyllur, klientët mund t’i gjejnë lëngjet e ndryshme që ajo prodhon në pikat e tjera të rregullta të shitjeve, d.m.th. farmacitë, shitoret e ushqimeve bio dhe shitore ushqimore.

Për më tepër, Afërdita tani është e zënë edhe me përgatitjen e një sere të re 1 ari ku do të kultivojë luleshtrydhe.