Zhvillimi i mëtejshëm i strategjisë së turizmit për kryeqytetin e Kosovës që plotëson investimet për infrastrukturën kulturore dhe mbrojtjen e trashëgimisë është në fokus të Memorandumit të Mirëkuptimit që u nënshkrua me 22 mars 2018.
Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga menaxherja e projektit të Swisscontact Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, Argjentina Grazhdani, dhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Ky memorandum synon të mbështesë komunën që të investojë në restaurimin e trashëgimisë kulturore, ku përfshihet edhe hapja e dy muzeve të rinj që do të promovojnë artin bashkohor të Kosovës.
Me anë të këtij memorandumi, Swisscontact do të bashkëpunojë me Komunën e Prishtinës për të zhvilluar një strategji të turizmit, të gjejë modele për menaxhimin efikas të monumenteve, të trajnojë ciceronët dhe të zhvillojë produkte të reja të turizmit, duke i kontribuar kështu gjenerimit të më shumë të hyrave dhe krijimit të vendeve të reja të punës.