Shumë të rinj e kanë shfrytëzuar në dobi të tyre periudhën e ndërprerjes së aktiviteteve për shkak të pandemisë së COVID-19. Ndërkohë që institucionet arsimore u mbyllën dhe mundësitë për punë u zvogëluan, të mësuarit online i shkathtësive të reja për të plotësuar mungesa specifike në treg – si shërbime marketingu të përballueshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – u shndërrua në aktivitetin e radhës për të rinjtë e motivuar.
Duke dashur t’i kontrobuojnë komunitetit në këto kohëra të vështira, United Pixels Academy (UPA), ofrues i trajnimeve kryesisht për dizajn grafik, grafik motion dhe zhvillim të aplikacioneve, kaloi në trajnime tërësisht online dhe të dizajnoi një program të posaçëm për të instruktuar një grup dizajnerësh kreativë që më pas ata të ofrojnë shërbime të përballueshme për NMV-të në Kosovë, kryresisht nga sektorët e përpunimit të ushqimit dhe turizmit.
Ky kurs specifik online u organizua për Photoshop, që sipas Armend Berishës, themelues i UPA-s, është shkathtësi për të cilën ka nevojë “një gamë e gjerë e profesioneve: arkitektët, dizajnerët grafikë, dizajnerët e modës ndër të tjerë”. Kjo ishte dhe arsyeja pse vendosën ta ofrojnë këtë kurs. UPA arriti ta vërë në zbatim këtë ide me përkrahje nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat.
Profili i targetuar i pjesëmarrësve ishin kryesisht të rinjtë, përfshirë studentë të marketingut apo shitjes, të cilëve njohuritë në Photoshop u shtojnë vlerë reale në CV, por pjesëmarrës ishin edhe persona të tjerë me dëshirën për ta përftuar këtë shkathtësi.
“Kemi mbajtur kurse online edhe para pandemisë. Gjatë kursit për Photoshop vërejtëm vullnetin e pjesëmarrësve për të mësuar sa më shumë. Kjo përvojë ishte interaktive, me qasje të lehtë dhe efektive që dëshmoi se mund të arrijmë shumë edhe me mësimin online” thotë Granit Cernaveri, një nga instruktorët.
Pjesëmarrësit ishin nga fusha të ndryshme dhe shumica nuk kishin njohuri të Photoshop-it, por që të gjithë ishin të pajtimit se kjo shkathtësi e re do t’i ndihmojë të punojnë në projekte të reja dhe të krijojnë mundësi të reja.
Rina Trnava, 21, e diplomuar bachelor në infermieri thotë se kishte shumë dëshirë të mësonte diçka përtej fushës së infermierisë. “Shkathtësitë e reja mund t’i shfrytëzoj si profesion të dytë, ose hobi”.
Për Behar Sherifin, 32, që punon si menaxher CRM për një agjenci kreative, trajnimi ishte mundësia e parë për ta përdorur Photoshop-in dhe përvoja e parë në mësimin online, që i pëlqeu dhe ishte e dobishme. Përveçse e shfrytëzoi mirë kohën gjatë pandemisë për të mësuar shkathtësi të re, “kursi do të më ndihmojë gjatë punës për të bërë prezantime edhe më profesionale para klientëve”.
“Gjithnjë e kam patur pasionin dizajnin, por nuk kisha njohuri të mjeteve si Photoshop” thotë Fatlum Behrami, 20, student i shkencave kompjuterike. Ai mendon se si programer i ardhshëm, njohuritë që ka fituar gjatë trajnimit do t’i shërbejnë si bazë e mirë për t’u profesionalizuar më tej në programimin e aplikacioneve apo uebfaqeve.
Me projektet që kanë përfunduar në kuadër të trajnimit, pjesëmarrësit kanë dëshmuar shkallë të lartë të kompetencës dhe që e kanë kuptuar programin. Një tjetër e mirë është se të gjithë pjesëmarrësit tashmë janë pjesë e komunitetit të mbyllur të dizajnerëve krijuar nga UPA ku mund ta vazhdojnë rrugëtimin e mësimit me kolegët e tyre.
UPA ka plane edhe më të mëdha për të ardhmen e afërt sa i përket mësimit online. Në fakt, periudha gjatë pandemisë i ka shtyrë ata që të ndërmarrim hapa për jetësimin e ideve që i kanë patur prej kohësh. “Një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve tonë është online dhe veçse kemi patur plani që kurrikulën e trajnimit për dizajn grafik ta konvertojmë online. Tani, po mendojmë që këtë trajnim ta ofrojmë edhe në anglisht, që të kapim një treg më të madh global” thotë Armend Berisha.
Në Kosovë ka mjaft të rinj të talentuar që thjesht janë në pritje të rasteve për të krijuar më shumë mundësi.