Më 22 mars 2019, rreth dyzet përfaqësues nga biznese që merren me produktet pyjore jodrusore (PPJD) dhe bimë mjekësore aromatike (BMA) morën pjesë në një sesion informues mbi standardet organike dhe kërkesat për certifikim.
Sesioni informues u organizua nga Shoqata ORGANIKA - shoqata e përpunuesve dhe eksportuesve të PPJD dhe BMA, për të ndarë me akterët e këtij sektorit informacionet më të fundit mbi procedurat e inspektimit dhe certifikimit për kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e qëndrueshëm të bimëve, si dhe transportin, ruajtjen dhe etiketimin e produkteve të tilla.
Kosova po pozicionohet gjithnjë e më mirë në tregun e produkteve organike dhe sektori privat po e udhëheq këtë proces. Për të siguruar një të ardhme më të mirë të sektorit të PPJD-ve dhe BMA-ve, është e rëndësishme që të gjitha bizneset dhe individët e përfshirë të jenë të informuar mirë për standardet organike në mbledhjen spontane, si dhe për kultivimin dhe përpunimin e tyre. Prezantimet nga Albinspect, që është trupë certifikuese, si dhe informacionet e tjera që u ndanë synojnë përkrahjen e mëtejshme që këto biznese të rriten.
Ky sesion informimi, pjesë e një sërë takimesh të ngjashme, synon të rrisë kapacitetet e akterëve në këtë sektor.