Në fillim të këtij muaji, Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës mblodhi përfaqësues nga institucionet publike dhe private në Kosovë dhe rajon, për të diskutuar mënyrat sesi të vazhdohet më mirë përpara dhe të rindërtohet sektori i turizmit dhe mikpritjes nga Covid19 në vend. Në forumin e organizuar me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit PPSE në partneritet me UNDP përmes projektit Eco-Tourism, përfaqësuesit e turizmit nga sektori privat dhe publik, ekspertët rajonalë dhe ndërkombëtarë ndanë përvojat e tyre dhe diskutuan për ndikimin e pandemisë në sektorin e turizmit dhe masat e nevojshme që duhe të ndërmirren për rindërtimin e sektorit.
Forumi rezultoi në 16 rekomandime, si më poshtë:
- Të formohet një grup punues në kuadër të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, në mënyrë që t’i identifikojnë dëmet e shkaktuara nga pandemia në gjithë vendin.
- Të bëhen fushata, ose kampanja përmes videove sensibilizuese, me ç’rast do të promovoheshin potencialet turistike të vendit, me arsyen e një zhvillimi sa më të qëndrueshëm vendor, me përkrahje të institutcioneve publike.
- Të merren masat konkrete nga institucionet e shtetit për ta ndihmuar sektorin e hotelerisë dhe atë të turizmit për përballjen më të lehtë me dëmet e shkaktuara nga mbyllja si pasojë e pandemisë. (Shembuj nga Maqedonia dhe vendet e tjera te rajonit).
- Çdo masë e re e marrë nga institutcionet, konkretisht nga Ministria e Shëndetësisë, në përballje me pandeminë, duhet të komunikohet te agjensionet turistike dhe hoteliere, në mënyrë që të njoftohen turistët e huaj dhe diaspora.
- Në kuadër të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës të bëhet një fond i përbashkët i sigurimeve, që do t’u ofronte Mbështetje Bizneseve antare të OHT-së, në raste emergjente.
- Përgatitja e një plani operativ në bashkëpunim të ngushtë në mes të përfaqësuesve të institucioneve dhe të OHTK-së për veprime konkrete varësisht nga situatat e krijuara duke respektuar vendimet e institucioneve, por edhe të subjekteve hoteliere dhe turistike.
- Të ketë bashkëpunim të ngushte në mes të shoqatave të turizmit për të shtyer përpara zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, lobimin, aprovimin e Ligjit të Turizmit etj.
- Të mundësohen oferta të përbashkëta turistike Rajonale në mes të bizneseve turistike, në mënyrë që edhe turizmi në Kosovës të promovohet në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë.
- Koordinimi i veprimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta mes odave hoteliere e turistike nga rajoni që kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të krijimit të një fronti të përbashkët ta angazhimit dhe promovimit të vlerave turistike nga këto vende mike, dhe t’i ndajnë praktikat më të mira mes vete.
- Mos të ketë ngritje të vlerës së TVSH -së, të vazhdojë të jetë 8% edhe pas pandemisë.
- Ngritja e Arsimit Profesional, shtimi i stafit me ekspertë të fushës në departamentin e Hotelierisë dhe Turizmit; përkrahja dhe paisja me kabinete përkatëse në arsimin professional.
- Zhvillimi i dialogut social, në mes të sektorit publik dhe privat.
- Diaspora është vizitori më besnik i Kosovës, të cilët edhe e mbajten gjallë ekonominë e vendit në kushte pandemia. Edhe këtë verë pritet të kemi numër të madh të vizitorëve nga diaspora, kështuqë Qeveria e Kosovës duhet të mundësojë njohjen e çdo dëshmie që një turist nuk ka Covid-19 apo e ka kaluar atë dhe jo vetem PCR test, pasi ky po ju kushton shumë turistëve që vijnë nga jashtë (shembull Kroacia pranon të gjitha llojet e testeve: PCR, rapid, serologjik).
- Kosova ka shumë potencial të zhvillimit të turizmit malor, por duhet të përkrahet me zhvillime infrastrukturore (gjatë muajve të dimrit fshatrat e Rugovës së Pejës nuk kanë pasur rrymë për 2 muaj rresht).
- Menaxhimi i mbeturinave në tërë territorin e Kosovës kërkon mobilizim të tërë akterëve dhe shoqërisë.
- Të bëhet lejimi i turistëve në shtigjet malore që lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Këto vende lejojnë vizitorët nga Kosova, ndërsa Kosova nuk lejon vizitorë nga këto dy vende.