Një udhëtim familjarizues për median japoneze në Kosovë është fokusi i memorandumit të mirëkuptimit (MM) që u nënshkrua midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE). Udhëtimi do të organizohet në datat 14 – 17 nëntor 2017.
“Udhëtimet familjarizuese janë mjet efektiv për të promovuar destinacione specifike, pasi u ofrojnë grupeve mundësinë që të përjetojnë direkt ofertën e atij destinacioni” thotë Blerina Batusha-Xërxa, fasilitatore për turizmin në PPSE.
Përveç prezantimit të ofertës turistike të Kosovës dhe promovimit të vendit si një destinacion atraktiv në tregun e turizmit në Japoni, qëllimi i udhëtimit familjarizues për median është edhe të nxisë një promovim më të mirë të Kosovës në përgjithësi. Udhëtime të tilla familjarizuese mund të replikohen në të ardhmen për grupe të gazetarëve edhe nga tregje të tjera të synuara.
Udhëtimi familjarizues me grupin e gazetarëve japonezë implementohet nga kompania Airtour.