Nga: Francesca Masotti
http://www.lettersfromthebalkans.com/2021/09/13/made-in-the-balkans-vicianum-greenfarm-prishtina-kosovo/
Made in the Balkans vazhdon me prezantimin e punës së artizanëve, dizajnerëve dhe artistëve të gadishullit ballkanik dhe takimi i sotëm i dedikohet Vicianum GreenFarm, një ndërmarrje e vogël familjare në Prishtinë, Kosovë, e themeluar nga Qefserja dhe Qemajli.
Më tregoni për veten: kush jeni?
Jemi Qefserja dhe Qemajli, partnerë në jetë dhe në punë. Kemi studiuar për modë dhe dizajn në Paris nga fundi i viteve shtatëdhjetë dhe gjatë pjesës më të madhe të jetës tonë kemi punuar në sektorin e tekstilit. Mirëpo në vitin 2012, vendosëm që një nga pasionet tona më të mëdha, natyrën, ta transformojmë në një ndërmarrje të vogël që prodhon produkte inovative bujqësore të një cilësie të veçantë: kështu ka lindur Vicianum GreenFarm.
Çfarë është Vicianum GreenFarm?
Vicianum GreenFarm është biznesi ynë, një ndër të parët në Kosovë, që merret me kultivimin, përpunimin dhe paketimin e produkteve ushqimore natyrale dhe inovative. Në fakt, përgjatë viteve e kemi zgjeruar aktivitetin tonë duke arritur në mbi 60 produkte, ndër të cilët shpargulli dhe shafrani, shumë prej të cilëve janë prezantuar për herë të parë në vend, falë përkrahjes që kemi marrë nga donatorët ndërkombëtarë dhe falë angazhimit dhe pasionit tonë të pandërprerë për të promovuar përbërës origjinalë.
Cilët janë produktet që kultivoni dhe shisni?
Sikurse e thamë dhe më sipër, ne kultivojmë dhe më pas shesim mbi 60 tipologji të produkteve, ndër të cilët vaji i farave të lirit, kungullit, lulediellit; 10 lloje të reçelit, që të gjitha me përmbajtje shumë të ulët të sheqerit (kemi si qëllim që brenda këtij viti të lansojmë edhe një linjë të reçelit pa sheqer), çajra dhe erëza. Pothuajse të gjithë përbërësit janë bio dhe kultivohen në Kosovë, përpunohen këtu dhe më pas shiten. Ne prodhojmë edhe lloje të ndryshme të uthullës, ndër të cilët përmendim atë të mollës së egër dhe të shegës, si dhe lloje të gjalpit origjinal nga arrat, bajamet, susami dhe farat e kungullit.
Cili është produkti për të cilin jeni posaçërisht krenarë dhe përse?
Për ne është e vështirë të zgjedhim një produkt: gjithçka që krijojmë, e bëjmë me dashuri. Mirëpo mundemi të themi se shpargulli dhe shafrani janë ndër më të preferuarit për ne, pasi janë produktet e para që kemi kultivuar dhe me ata kemi nisur angazhimin tonë në botën e bujqësisë, duke nisur nga zeroja. Ndryshe nga produkte të tjera, si për shembull vera, në Kosovë nuk ekziston traditë për kultivimin dhe konsumimin e këtyre dy produkteve: bëhet fjalë për përbërës të rinj me potencial të jashtëzakonshëm. Kemi punuar shumë për t’i futur në tregun tonë ushqimor, duke i informuar edhe konsumatorët që tani janë vetëdijësuar dhe mbi të gjitha, i njohin të mirat e tyre për shëndetin.
A ka ndonjë produkt që përfaqëson Kosovën dhe pse?
Pothuajse të gjitha llojet e çajrave dhe erëzave që i kultivojmë apo i grumbullojmë nga pyjet përfaqësojnë vendin tonë dhe, sikurse është tradita, përdoren nga vendasit. Tashmë janë bërë produkte trendi, mirëpo në Kosovë prej shekujsh i pimë apo i hamë çdo ditë. Për shembull, rrënjët e mëllagës janë një produkt që gjyshet dhe stërgjyshet e tona e kanë përdorur për çaj dhe për të mjekuar kollën, bronkitin dhe sëmundje të tjera të aparatit respirator.
Ku mund t’i gjejmë produktet tuaja?
Produktet e Vicianum GreenFarm shiten në dyqane dhe supermarkete të ndryshme në të gjithë Kosovën. Sapo kemi përuruar dyqanin tonë në Prishtinë, Rruga Emin Duraku 18. Mund të na ndiqni edhe në Facebook, Instagram, ne uebfaqen tonë www.vicianumgreen.com ose të na telefononi në numrin 0038349123878