Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim organizoi sot ceremoninë që shenjon fillimin e fazës së dytë të projektit katër- vjeçar. Faza II zgjat deri në nëntor 2021. Qëllim kryesor i projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë është të sigurojë rritje të punësimit të qëndrueshëm dhe fitimprurës për të rinjtë në Kosovë, që arrihet përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat veprojnë në sektorë ekonomikë gjithëpërfshirës dhe të mirëorganizuar.
Dy sektorët në fokus të projektit janë: ushqimi dhe përbërësit natyralë dhe turizmi.
Në ceremoni e morën fjalën Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean-Hubert Lebet, Zv.Ministri për Tregti dhe Industri Faton Thaçi, Drejtori për Rajonin i organizës Swisscontact Henry Leerentveld dhe Drejtori i Institutit Riinvest Alban Hashani. Rezultatet që priten nga faza e dytë e projektit dhe metodologjia e punës u prezantuan nga Zëvendësmenaxheri i PPSE-së, Fisnik Reçica. “Vetëm dy javë më parë, Zvicra lansoi Strategjinë për Bashkëpunim për Kosovën për 2017 – 2020, strategji kjo e zhvilluar në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Kosovës,” tha Ambasadori Lebet. Ai shtoi “Zvicra është partneri i tretë më i madh bilateral i Kosovës. Qeveria zvicerane është e përkushtuar për të mbështetur Kosovën që të arrijë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë”.
Strategjia e përkrahjes zvicerane për rritjen ekonomike të Kosovës parasheh krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e konkurrueshmërisë së NMV-ve.