Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Krijimi i mundësive për gjenerim të të ardhurave për komunitetin rom

Më 15 nëntor 2018, përfaqësues të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) u takuan me partnerë dhe përfitues të projekteve të Swisscontact për aktivitete që gjenerojnë të ardhura për komunitetin rom dhe për përmirësim të sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

“Gjithëpërfshirja sociale ka të bëjë me sigurimin e mundësive ekonomike për grupet në nevojë dhe qasjes së tyre në vende pune dinjitoze që përmbushin aspiratat që ata kanë për përmirësimin e kushteve të jetesës” thotë Argjentina Grazhdani, menaxhere e projektit PPSE. Përfaqësueset e SDC-së vizituan shtëpinë e Ismet Selimoviqit, nga komuniteti rom që jeton në Graçanicë, baba i gjashtë fëmijëve, i cili rishtazi fitoi një presë që do të rrisë së paku trefish veprimtarinë e tij për gjenerimin e të ardhurave nga shishet plastike. Ismeti është një nga tre grumbulluesit individualë romë të cilët kanë marrë këto presa nga G-PLUS.

G-PLUS është kompani e grumbullimit dhe riciklimit të mbeturinave, e cila bashkëpunon me Komunën e Graçanicës dhe PPSE për të mbështetur aktivitete për gjenerimin e të ardhurave për komunitetin rom në atë zonë. Aktiviteti është pjesë e një projekti më të gjerë për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në këtë komunë, në njërën anë duke rritur qasjen për grumbulluesit individualë në mbetjet e grumbullueshme dhe të riciklueshme dhe në anën tjetër, duke të rritur vetëdijësimin e banorëve rreth rëndësisë së klasifikimit të mbeturinave nivel të shtëpive.

Përfaqësueset e SDC-së të cilat vizituan kompaninë dhe Ismetin mësuan direkt prej tyre për ndikimin e kësaj nisme të sektorit privat-sektorit publik-donatorit.