Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Kosova shënon “pikën e kthesës” me certifikimin organik të produkteve

Me 21 dhjetor 2017, tetëmbëdhjetë kompani kosovare u certifikuan për produktet e tyre organike. Certifikatat e lëshuara nga trupa certifikuese Albinspekt shënojnë përmbylljen me sukses të mbështetjes që u është dhënë këtyre kompanive edhe me fonde të Qeverisë Zvicerane.

Ceremonia u organizua nga Shoqata e Produkteve Pyjore Jo-Drusore dhe Bimëve Aromatike Mjekësore ORGANIKA. Aty morën pjesë Ministri i Pylltarisë, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Nenad Rikalo, Stefan Butscher nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, përfaqësues nga Albinspekt, të bizneseve dhe akterë të tjerë të këtij sektori.

Trendi për ushqime dhe produkte organike po përjeton një rritje shumë të shpejtë në Evropë dhe në mbarë botën. Etika e produktit organik ia rrit vlerën çdo produkti të Kosovës dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë tek perceptimi i blerësve në tregun vendor dhe të eksportit. “Certifikimi organik për këto kompani është një arritje e madhe, që shënon pikën e kthesës për sektorin,” thotë Faton Nagavci nga Shoqata ORGANIKA.

Aktiviteti për promovimin e certifikimit organik të kompanive në sektorin e produkteve pyjore jo-drusore dhe bimëve aromatike e mjekësore është implementuar nga Shoqata ORGANIKA, me mbështetje nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.