Prishtinë, 7 mars 2018 – Kosova po ekspozon ofertën e vet turistike në panairin ITB Berlin, që është panairi më i madh në botë në këtë industri. Panairi ITB mbahet në datat 7 – 11 mars 2018. Sipas të dhënave zyrtare nga organizatorët e ITB-së, këtë vit ekspozojnë rreth 10,000 kompani turistike nga 186 vende dhe më shumë se 100,000 vizitorë ndërkombëtarë pritet të vizitojnë panairin.
Panairi ITB tërheq blerës të paketave turistike nga e gjithë bota në kërkim të inspirimit për udhëtimet e tyre të radhës. Përmes një sërë aktivitetetsh rrjetëzimi, ky panair gjithashtu ofron mundësi të shkëlqyera për biznes.
Këtë vit, Kosova përfaqësohet nga Outdoor Kosovo, Altavia Travel, Eurokoha, Albtour dhe Kosova Holidays.
Pjesëmarrja e Kosovës si destinacion në panairin ITB në Berlin është organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me mbështetje nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe USAID EMPOWER Private Sector.