Me vështrimin nga e ardhmmja pas COVID 19, Parku Germia në Prishtinë, një prej pikave më të preferuara në natyrë për banorët e komunës, së shpejti do të ofrojë më shumë argëtim dhe aventura në natyrë për vizitorë të të gjitha moshave.
Parku IN-Nature Adventure është projekti më i ri i turizmit i Komunës së Prishtinës, që do të realizohet nëpërmjet ndërmarrjes publike “Sport Marketingu”. Ky park aventuresh është planifikuar të ketë 53 elementë dhe 6 pista ngjitjeje me kapacitet maksimal prej 90 personash në të njëjtën kohë. Elementet ndahen sipas nivelit të vështirësisë dhe përshtatshmërisë së moshës. Për më tepër, parku i aventurave do të ketë 6 zipline me gjatësi dhe nivel të vështirësisë të ndryshme, si dhe një kafene prej druri.
“Ne synojmë të sigurojmë një gamë të larmishme dhe financiarisht të përballueshme të aktiviteteve sportive dhe rekreative për banorët e Komunës sonë dhe për vizitorët apo turistët ndërkombëtarë. Sapo gjërat të rikthehen në normalitet, njerëzit do të kërkojnë më shumë argëtim dhe aktivitete në natyrë dhe ne duam t'i përmbushim nevojat e tyre”, tha Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës.
Parku i aventurave është bashkë-investim i Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit të Sektorit Privat. Bashkë-investimi është pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar në mars 2018 për zhvillimin e turizmit në komunë. Parku i aventurave do të ndërtohet bazuar në standardet e duhura evropiane. Projekti është krijuar që të mos ndërhyjë mjedisin natyror të pemëve ku do të instalohen elementët. Gjithashtu, pritet të krijojnë vende të reja pune me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme.
Shënim: Fotoja është thjesht ilustruese, është përdorur në propozim.