Katër kompani që merren me përpunimin dhe eksportimin e produkteve pyjore jodrusore nga Kosova ekspozojnë gamën e produkteve të tyre në BIOFACH, panairi më i madh në botë për ushqimin organik. Panairi mbahet në datat 14-17 shkurt 2018 në Nuremberg, Gjermani.
Katër kompanitë nga Kosova: Agroproduct Shpk, Hit-Flores Shpk, Eurofruti Shpk, Fungo LLC, konsiderojnë se pjesëmarrja në BIOFACH është me rëndësi të posaçme për strategjinë dhe vizionin e tyre për eksport. Ky panair u ofron mundësi që të kontaktojnë me blerës dhe agjentë të shitjes, duke bërë të mundur për kompanitë nga Kosova të shesin produktet e tyre në tregjet rajonale dhe evropiane.
Përveç mundësisë për të ekspozuar produktet, panaire si BIOFACH janë instrument i shkëlqyer për hulumtim të tregut për kompanitë që synojnë të zgjerohen në prodhimin e certifikuar organik. Për këtë qëllim, edhe tri kompani të tjera vizitojnë panairin për të marrë informata rreth trendeve të këtij tregu, kërkesës dhe konkurrencës.
“Trendi i ushqimit dhe përbërësve organikë ka sjellë tashmë ndryshimin në Kosovë, pasi përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për të hyrë në tregjet e eksportit të ushqimit organik dhe të kapin një pjesë të tij” thotë Faton Nagavci, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës ORGANIKA. “Kosova mund të jetë prodhues më i vogël se shumë shtete të tjera në këtë sektor të ushqimit organik, mirëpo cilësia e lartë e produkteve të certifkuara që dorëzohen me kohë mundëson kërkesë më të madhe” shton ai.
Pjesëmarrja e këtyre kompanive në panairin BIOFACH u mbështet nga Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorit Privat dhe USAID Agro. Shoqata ORGANIKA koordinon mbështetjen.