Shtatë kompani përpunuese të drurit nga Kosova ekspozuan gamën e gjerë të mobilejeve dhe elementeve të tjera nga druri dhe zgjidhjeve që ofrojnë në panairin më të madh të mobilerisë dhe ndërtimit në Zvicër, Swissbau, që u mbajt nga 16-20 janar 2018.
Këto kompani Elnor, Shehu, Binni, Greenhouse, Koba, Graniti dhe Lesna e konsiderojnë pjesëmarrjen në Sëissbau një lëvizje strategjike, pasi hap mundësi për të depërtuar në tregun zviceran dhe më gjerë. Menjëherë, këto kompani raportojnë për kontakte të rëndësishme me arkitektë, kompani të ndërtimit apo klientë individualë që kanë potencialin të shndërrohen në partneritete biznesi.
Përveç dizajnit dhe cilësisë, prodhuesit kosovarë i dallon edhe raporti i shkëlqyer çmim-performancë.
Pjesëmarrja e këtyre kompanive në panair u mbështet nga Agjencia për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat dhe USAID në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Mbështetja u koordinua nga Agjencia e Përpunuesve të Drurit të Kosovës.