Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Inspektimi dhe certifikimi i zipline, Green Valley

Zip line-ët, si produkte turistike të mbështetura dhe të promovuara nga Projekti për Punësim në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë po luajnë një rol të rëndësishëm në plotësimin e kërkesës për turizëm të aventurës dhe aktivitete që sjellin adrenalinë. Kombinimi i shpejtësisë, lartësisë dhe pamjeve panoramike të rajoneve të ndryshme të Kosovës japin një përvojë të paharrueshme për vizitorët.

Në luginën e gjelbër të Pogragjës në komunën e Gjilanit, Green Valley ndërtoi dhe vuri në funksion atraksionin turistik ‘Zip Line’ me gjatësi prej 500 metrash, duke e bërë këtë rajon shumë atraktiv për turistët dhe entuziastët e sporteve ekstreme.

Për shkak të natyrës ekstreme të zip line-it, siguria dhe mirëmbajtja e pajisjeve kërkon përkushtim të përkryer.

Në muajin prill 2023, Green Valley, ka ftuar Trupën Inspektuese 'Ropes Course Solutions' me seli në Suedi – e akredituar nga European Ropes Course Association (ERCA) - për të kryer inspektimin e sigurisë, funksionimit teknik dhe dokumentacionit relevant të Zip Line-t. Nga procesi inspektues ka rezultuar se Green Valley Zip Line i plotëson të gjitha kriteret e sigurisë në përputhje të plotë me standardin EN 15567, dhe me këtë rast është certifikuar me sukes me certifikatën ndërkombëtare të sigurisë.    

Për të arritur deri te ky certifikim, pronari i Green Valley, z. Samir Aliu, është angazhuar intensivisht që nga viti 2020. Ai ka bashëpunuar ngushtë edhe me personelin akademik të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët kanë bërë testimin e litarit dhe kanë ofruar këshilla profesionale të vazhdueshme për ndërtimin e sigurt të Zipline i cili tani është certifikuar ndëkombëtarisht. 

PPSE ka mbështetur Green Valley Zip Line në mbulimin e kostos së ekspertizës teknike që ndërlidhet me certifikimin. 

Kjo mbështetje kontribuon në funksionimin e sigurtë dhe të qëndrueshëm të këtij Zip Line si një nga produktet turistike më tërheqëse në rajonin e Gjilanit. Ky intervenim nga PPSE ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të mëtejmë të operatorëve privatë në mbarë Kosovën për të ndërmarrë iniciativa për certifikimin e rregullt të produkteve turistike.

PPSE po punon paralelisht me institucionet publike dhe ato akademike për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe rregullatore për të adresuar mirëmbajtjen dhe sigurinë afatgjatë të produkteve turistike në Republikën e Kosovës.