Teksa koha për të filluar mbjelljen e fidanëve të perimeve po afron, fidanishtja e specializuar Fidanishtja e Godancit është gati t’i furnizojë fermerët e vet të kontraktuar: si pronarët e serave më të mëdha, ashtu edhe fermerë individualë me fidanë për prodhim në fushë të hapur.
Për t’u siguruar që fermerët kanë mundësi të blejnë fidanë dhe të shmangin çdo ndërprerje në aktivitetin e tyre bujqësor që më pas do të ndikonte në furnizimin e tregut, Fidanishtja e Godancit ka arritur një marrëveshje me qendrën e grumbullimit Agrocelina dhe projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE). Sipas kësaj marrëveshjeje, PPSE do t’i stimulojë fermerët e kontraktuar përmes qendrës së grumbullimit Agrocelina duke mbuluar €0,03 për secilin prej 200,000 fidanëve të trangullit. Shuma e mbetur do të mbulohet nga Agrocelina dhe fermerët.
"Me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit PPSE, kemi rritur kapacitetet tona për prodhimin e fidanëve të perimeve me cilësi të lartë. Të përballur me pasojave e pandemisë COVID-19, ky bashkëpunim mundëson prodhim të sigurt të perimeve që do të plotësojnë nevojat ushqimore të popullatës, por edhe ato të përpunuesve të ushqimit” thotë Skender Ramadani nga Fidanishtja e Godancit.
Kjo fidanishte gjithashtu ka gati 400,000 fidanë për tranguj, speca, domate, kunguj dhe qepë që janë gati për t’u shpërndarë tek 30 pronarë të serave të mëdha dhe 2,000 fermerë individualë më të vegjël. Ramadani është duke negociuar me Kooperativën e grave të Krushës së Madhe për rreth 500,000 fidanë të specave.