Rrjetëzimi është mjet kyç për gratë ndërmarrëse të suksesshme. Rrjetëzimi krijon mundësi të reja, ndihmon në rritjen e biznesit dhe në gjetjen e një komuniteti të ngjashëm. Gratë si modele dhe mentoret që gjenden përmes rrjetit janë po aq të rëndësishme për secilën që të rritet si individ dhe si grua në biznes. Përmes modeleve dhe mentoreve, gratë ndërmarrëse mësojnë për strategji të reja, mënyra të reja pune dhe hapin shtigje të reja në jetën e tyre. Këto ishin ndër konkluzionet kryesore të ngjarjes rrjetëzuese "Ku gratë janë" të organizuar nga PPSE.
Qëllimi i ngjarjes ishte i dyfishtë: të mblidhte bashkë në dy panele gra lidere në fushat e tyre nga Kosova dhe Shqipëria për të diskutuar rreth rrugëtimit dhe rritjes së biznesit të tyre, rëndësisë së rrjetëzimit, mentorimit, aftësive drejtuese që gratë e shekullit 21 duhet të posedojnë, dhe si gratë nga sektori privat dhe sektorët e tjerë mund të bashkohen në një rrjet të fuqishëm drejt fuqizimit të tyre ekonomik.