Më 27 janar 2022, Visar Vokrri, fermer në pjesën veriore të Kosovës, Podujevë, nënshkroi një marrëveshje partneriteti me projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat. Përmes këtij partneriteti, Vokrri do të përmirësojë fidanishten e tij ekzistuese të fidanëve të perimeve për të rritur kapacitetin dhe cilësinë e prodhimit.
Në kuadër të sektorit të Ushqimit dhe Përbërësve Natyrorë, PPSE do të vazhdojë edhe gjatës Fazës III të mbështesë bujqësinë e kontraktuar, një aktivitet ky i nisur në fazën e mëparshme të projektit. Shërbimet mbështetëse dhe aktivitetet që rrisin qasjen e fermerëve në fidane cilësore dhe me çmime të përballueshme e plotësojnë më tej këtë strategji, veçanërisht duke rritur kapacitetet e prodhimit modern të fidanëve në Kosovë.
Marrëveshja e partneritetit me fermerin Vokrri do ta mbështesë atë për të përmirësuar funksionimin e fidanishtes së tij dhe përfshin punën përgatitore, instalimin e sistemit të vaditjes, ventilimit, punës me fara dhe punës në aspekte të tjera teknike të nevojshme. Përveç kësaj, PPSE do të caktojë një ekspert për të punuar me Vokrrin që ai të gjejë furnitorin më të përshtatshëm për pajisjet që i nevojiten.
"Me këto përmirësime të fidanishtes dhe transferimin e njohurive nga eksperti i prodhimit të fidanëve, z. Vokrri pritet të plotësojë nevojat e veta për fidane, të arrijë cilësi më të lartë të produktit final dhe të ketë tepricë të fidanëve të cilët mund t'ua shesë fermerëve përreth", tha Alida Muhaxhiri, fasilitatore për këtë aktivitet në PPSE.
PPSE është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest dhe aktualisht në Fazën III (nëntor 2021 – nëntor 2025).