Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

Etik, i qëndrueshëm, bio: revolucioni i gjelbër i Kosovës

 Çar, erëza, vajra aromatikë dhe esenca: një rrugëtim i shijes dhe nuhatjes në zemër të Kosovës

FRANCESCA MASOTTI | 25 tetor 2021

 

Gjithnjë ekziston një arsye e mirë për të udhëtuar në Ballkan: të vizitosh vende të reja, të mësoj për kultura të ndryshme, të zbulosh tradita gastronomike. Me këtë, Kosova, në zemër të gadishullit, nuk i zhgënjen vizitorët. Shteti më i ri i Evropës nuk gjendet në faqet e para të revistave më të njohura të botës vetëm për shkak të këngëtareve të njohura, Dua Lipa ndër to, apo falë filmave që konkurrojnë në festivalet më presitigjioze të kinematografisë; rishtazi filmi Kosherja, fitues i tre çmimeve në Sundance Film Festival dhe kandidat për Oscar, por është dhe një nga qendrat e reja gastronomike që nuk duhen humbur në Ballkan. Ushqimi traditional i shkëlqyer i riprezantuar në forma moderne, restorante me interirere të mrekullueshme dhe ndërmarrje të vogla që prodhojnë me përbërësit më të mirë të vendit produkte të shkëlqyera gastronomike.

Si një destinacion turistik, Kosova sapo ka filluar të përmendet. Mirëpo si destinacion gastronomik, ende është kryesisht e panjohur. Sidoqoftë, ndërmarrjet vendase po rriten, njëra më interesante se tjetra dhe shumica prej tyre të menaxhuara nga gra të cilat, falë mbështetjes së organizatave ndërkobmëtare që veprojnë në vend, kanë nisur ta çelin rrugën e tyre në botën e punës në Kosovë. Në fakt, Swisscontact, një fondacion zviceran që ka zyra në Prishtinë, mbështet katër ndërmarrje të vogla për të prodhuar dhe komercializuar produktet e tyre. Falë programeve specifike, këto gra ia kanë dalë të punojnë me ekspertë ndërkombëtarë dhe të mësojnë prej tyre: i tillë është rasti i Rudina Qosjes që ka studiuar me shefin zviceran Sepp Scharli për të zhvilluar receta inovative dhe teknika për biznesin e saj Rudi’s Cake Factory, një nga vendet më të mira për ëmbëlsira në kryeqytetin e Kosovës.

Pothuajse askush nuk e di, mirëpo një nga shafranët më të mirë në Evropë kultivohet në Kosovë: prej disa vitesh tashmë Vicianum GreenFarm mendon për ta prodhuar dhe shitur atë. Ky është një biznes familjar në Prishtinë, një nga të parët në vend që janë përfshirë në kultivimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore inovative përfshirë dhe pistilin e crocus sativus. Ndryshe nga përbërësit e tjerë që prodhon kjo kompani, që kultivohen dhe konsumohen nga vendasit për shekujt të tërë, si çai dhe frutat e thata, shafrani ka qenë një produkt pothuajse i panjohur në këtë vend të Ballkanit. << Burri im Qemajli dhe unë kemi punuar shumë për ta sjellë shafranin në tregun tonë ushqimor duke iinformuar konsumatorët edhe për të mirat shëndetësore të tij: në fakt, pistili i lules është antioksidant, antidepresant dhe antispasmodik>>, tregon Qefsere Vuçitërna, menaxhere e Vicianum GreenFarm. Raftet e dyqanit të tyre shpalosin një mundësi unike për të nisur një rrugëtim të shijes dhe nuhatjes në zemër të Kosovës, nëpër erëza, vajin nga farat e kungullit, reçel me fruta pylli, uthull të mollës së egër dhe shegës, dhe çajra.

Meqë doli fjala të çaji: ajo çka tani është moderne, produkt trendi, në Kosovë ka qenë traditë shekullore. Çajrat as nuk përdoreshin atëherë, as tani, vetëm për të trajtuar sëmundjet sezonale të sistemit respirator, por pijet e nxehta të bëra me nga bimët e egra të malit, frutat e pyllit dhe bimët aromatike shijohen në momente kënaqësie, gjatë apo pas vakteve, në shoqërinë e familjes, të të afërmve. Menta, kalendula, shtogu, sherebela, mëllaga dhe trëndafili i egër. Këto janë disa nga llojet e çajrave që prodhon Botanic-llc, një kompani vendore që udhëhiqet e tëra nga gratë – nga motrat Arnita dhe Blerinda Veliu. <<Into the Ëild është slogani i brendit tonë: qëllimi që i kemi vënë vetes në fakt është që të promovojmë biodiversitetin në favor të një të ardhmeje të qëndrueshme për vendin tonë dhe për të gjithë planetin, në bazë të lidhjes së ngushtë ndërmjet njerëzve dhe natyrës. Të gjithë përbërësit në bazë të produkteve tona vijnë nga malet e Kosovës dhe janë organike, të certifikuara sipas standardeve evropiane>>, thotë Arnita. Mjafton të nuhasësh çajin e shtogut për t’u transportuar direkt e në luginat e gjera të Kosovës, apo çjin me trëndafil të egër për t’u katapultuar në pyjet e dendura që mbulojnë pjesën më perndimore të këtij vendi të Ballkanit dhe që sa i përket bukurisë, nuk ka arsye t’ia ketë zili asnjë pylli të famshëm të kontinentit.

Edhe çajrat që prodhon Erblina Avdijaj, truri prapa Bliff, që ajo e udhëheq bashkë me motrat e saj Fitore dhe Fatbardha, bëhen nga bimë të çmuara të pyjeve. Secila fazë e zinxhirit të prodhimit përcillet me kujdes në këtë biznes familjar: përdorimi i përbërësve, të gjithë bimë mjekësore aromatike të pasura me veçori për shëndetin, rriten në Kosovë në përputhje me standardet e larta bio, bimët kalojnë nëpër tharëse speciale që të ruajnë aromën dhe ngjyrën origjinale të produktit dhe më pas përpunohen dhe pastrohen me makineri të sofistikuara. Kështu, secila bimë përpunohet për t’u bërë çaj. <<Çaji i malit dhe çaji i blirit janë produktet që ndoshta më shumë se të tjerët përfaqësojnë Kosovën: aroma e tyre e pashoqe menjëherë të sjell ndër mend shtëpitë e gjyshërve tanë që tradicionalisht kanë pirë çaj të freskët jo vetëm për të forcuar shëndetin në muajt e ashpër të dimrit, por mbi të gjitha për kënaqësi >>, thotë Erblina. Produktet e saj të çajit: mente, kamomil, pjeshkë dhe kajsi, fruta pylli, bliri, hibiskus, mund të gjenden në dyqanin e saj në Istog, një qytet në veriperëndim, por edhe në shumë dyqane të tjera në vend. Që secili të ketë mundësinë të marrë pak shije Kosove me vete.