Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

E-dyqanet në dispozicion të bizneseve të vogla në Kosovë dhe me çmime të përballueshme

Duket se COVID-19 ka imponuar domosdoshmërinë që shumë biznese të vogla të zhvendosin operacionet e tyre në botën online dhe ky ndryshim është këtu për të qëndruar. Platforma më e re www.shitjaonline.com është përgjigja për nevojat e shumë bizneseve të vogla për t'i hyrë rrugës së tregtisë elektronike.

"Ky sistem softuerik menaxhon shitjen e mallrave në emër të bizneseve që dëshirojnë të ekspozojnë të gjitha produktet në internet dhe këtë e bën përmes një platforme të centralizuar dhe të integruar," thotë Zana Tabaku, CEO e Appdec që ka zhvilluar sistemin. Nëpërmjet një marrëveshjeje partneriteti me PPSE, kjo platformë do të krijojë kanale të reja shitjeje për bizneset e interesuara nga sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kafeterive (HoReCa), dyqaneve ushqimore dhe furrave të bukës, duke iu dhënë mundësinë e përdorimit të dyqaneve online (e-dyqaneve) me çmim të përballueshëm.

"Sipas marrëveshjes, PPSE do të bashkëfinancojë 60% të kostove të konfigurimit dhe 50% të kostove të abonimit për një vit, ndërsa klientët do të bashkëfinancojnë 40% të kostove të konfigurimit dhe 50% të kostove të abonimit për një vit” shpjegon Tabaku. Kostot e konfigurimit përfshijnë: dizajnim, hosting, vendosje të dyqanit në shitjaonline.com, trajnim në distancë për klientët se si ta përdorin platformën, mirëmbajtjen dhe mbështetjen.

Përmes këtij bashkëpunimi, Appdec do të identifikojë bizneset e interesuara, do të mbikëqyrë konfigurimin dhe mirëmbajtjen e e-dyqaneve të klientëve dhe do të sigurojë mbështetje. Ndërsa PPSE do të bashkëfinancojë konfigurimin dhe abonimin e platformës, me qëllimin për t'i dhënë më shumë mundësi bizneseve që të hyjnë në kanale të reja shitjeje. Pritet që me shtimin e kanaleve, shitjet të rriten, bizneset të rrisin të ardhurat dhe të punësojnë më shumë njerëz. Fermerët dhe prodhuesit vendas janë përfitues indirektë, pasi do të përballen me rritje të kërkesës për produktet e tyre.