Me 8 dhjetor 2020 u mbajt dëgjimi publik virtual për Pendën e Livoqit dhe ndikimin që pritet të ketë ky projekt në zhvillimin e turizmit në rajonin e Gjilanit.
Plani i kontribuon qëllimit të Komunës për të shfrytëzuar burimet që të tërheqin më shumë turistë dhe vizitorë dhe gjithashtu, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në këtë zonë. Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri theksoi se plani e shpalos realizueshmërinë e projektit, që do të krijojë një destinacion të ri turistik dhe do të tërheqë investime për turizmin në këtë zonë.
Qëllimi i prezantimit publik të planit ishte të ndajë informata, të marrë opinione, sugjerime dhe komente për të siguruar cilësi të lartë të projektit final, gjë që është me shumë rëndësi për zhvillimin e turizmit në këtë komunë. Komuna gjithashtu është duke bërë përpjekje të krijojë mundësi edhe për investime të përbashketa me sektorin privat për elementet private të projektit, ndërsa sektori publik do të përkujdeset për investim në infrastrukturë publike.
Plani është përgatitur nga kompania franceze GEODE me përkrahje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat.