Jo vetëm me shije dhe aromë të këndëshme, por edhe dobiprurëse për trupin, mendjen dhe shpirtin. Çajrat Bliff Organik, të prodhuar nga bimët të ndryshme mjekësore aromatike, të gjitha të kultivuara në Kosovë dhe me certifikatë organike, janë një nga veçantitë e tregut në Kosovë.
Erblina Avdijaj tregon se është rritur e rrethuar nga kultura e bimëve mjekuese dhe aromatike. Familja e saj në Istog prej shumë kohësh merret me grumbullimin, kultivimin, përpunimin dhe eksportin e këtyre bimëve. Ndaj dhe ideja për të themeluar biznesin e saj të çajrave prodhuar nga bimët mjekuese aromatike ishte një hap i natyrshëm.
Në vitin 2019, Erblina i dha jetë brendit “Bliff Organik”, një ide që po e përpunonte që nga viti 2016. Shtysat për realizimin e idesë së saj erdhën nga shumë drejtime. Përveç aktivitetit të familjes së saj me këto bimë, Erblina hulumtoi tregun në vend dhe jashtë, mori pjesë në panaire jashtë Kosovës dhe hap pas pasi, arriti në formulën e duhur për produkte cilësore dhe të shëndetshme, unike në treg.
Fillimisht, linja kishte 7 produkte – çajra me lule të ndryshme. Në fillim të këtij viti, gama është pasuruar, cilësia është rritur dhe më tej dhe Erblina është vazhdimisht në kërkim të inovacionit.
“Aktivitetin e nisa me shtatë lloje të çajit: menta, bliri, fruta mali, çaji i gjelbër, çaji i malit, kamomili dhe shporta e frutave. Të gjithë përbërësit janë të kultivuar ose të grumbulluar në Kosovë” tregon Erblina. Vizioni i “Bliff Organik” është që të sjellë në treg diçka më ndryshe.
Tani,”Bliff Organik” gjendet në treg me 14 produkte me shije të ndryshme, por dhe me paketime të përshtatshme për çdo nevojë. Përveç çajit me filter, Erblina ka sjellë si risi “paketimin zarf”, që është i përshtatshem për kafeteri dhe restorante, si dhe paketimin refuz. Materiali që përdoret për filtra është pa përmbajtje të plastikës, në përputhje me kërkesat e standardit organik.
Risia më e veçantë e kësaj linje është çaji “Relaksohu”, një formulë e krijuar enkas jo vetëm për shije të mirë, por edhe me efekte relaksimi. Vetitë e studiuara të livandës, melisës dhe kamomilit janë bërë bashkë për një produkt unik.
Në fakt, ashtu si e tregon dhe vetë emërtimi i brendit, të gjitha produktet janë të prodhuara me bimë që janë kultivuar në mënyrë organike. Gjatë grumbullimit, tharjes dhe përpunimit të mëtejshëm si përbërës të llojeve të çajit, kompania respekton të gjitha proceset e standardit organik.
“E veçanta e produkteve tona është përcjellja e zinxhirit nga kultivimi deri tek përpunimi final. Produktet pranohen të freskëta në bazë të sezonit dhe menjëherë paketohen. Për këtë arsye, ruhet cilësia, aroma dhe vlerat ushqyese” tregon Erblina.
Edhe gjatë magazinimit të produkteve, respektohen të gjitha standardet që garantojnë produkt me cilësi për konsumatorët.
Aktualisht, gama e produkteve të “Bliff Organik” gjendet vetëm në Kosovë: nëpër markete, kafeteri, restorante, barnatore dhe mund të porositen edhe online në faqen e tyre. Kompania po përgatitet me hapa të sigurtë që të nisë dhe eksportin. “Për këtë, na nevojitet rritje e kapaciteteve prodhuese” thotë Erblina.
Kompania “Bliff Organik” është një tjetër shembull i kompanive të suksesshme të themeluara dhe udhëhequra nga gratë në Kosovë. Erblina e menaxhon kompaninë së bashku me dy motrat e saj, Fitoren dhe Fatbardhën dhe ka të punësuara gra për çdo proces të punës.
Po ashtu, kjo kompani është një shembull i mirë kur përkrahja nga institucionet vendore dhe organizatat e huaja, si Sëisscontact, i jep shtysën e duhur ndërmarrëseve të reja me ide dhe vullnet për të ndërtuar aktivitet biznesi dhe për të krijuar vende pune në Kosovë.
Në pikën e prodhimit të “Bliff Organik” nuk ka asnjë ditë pushim dhe asnjëra ditë nuk i ngjan tjetrës. Suksesi shërben si shkallë për të vazhduar më tutje, me ide dhe produkte të reja. Erblina është vazhdimisht në kërkim të sfidës së radhës – qoftë kjo sfidë një shije e re, dizajn më tërheqës apo tregje në Evropë dhe botë.
Paketime elegante me ngjyrat e pastelit, që të krijojnë ndjesinë e qetësisë dhe shijes. Të gjitha detajet e produkteve “Bliff Organik” janë të menduara mirë dhe përçojnë mesazhin e cilësisë së produkteve organike.
Produkti më i ri në treg nga “Bliff Organik” është paketimi që përmban dhjetë shije të ndryshme, për secilën preferencë: kamomil, mente, fruta mali, çaj mali, bliri, çaj të gjelbër, çal ‘relaks’, shtogu, hibiskus dhe sherebele. Pra, çfarë çaji je me pi?