Një grup i guidave turistike të trajnuar tashmë i është bashkuar numrit në rritje të këtij profesioni në Kosovë. Në një ceremoni të organizuar më 24 prill 2019 në Alliance Française në Prishtinë, këta guida turistike morën certifikatat pas përfundimit me sukses të programit të trajnimit të dizajnuar posaçërisht për guida turistike frëngjisht-folëse.
"Për turistët francezë është e rëndësishme që të kenë informacion të besueshëm në gjuhën e tyre, nga njerëz të trajnuar që janë në gjendje të udhëheqin", tha Joseph Giustiniani, atasheu për bashkëpunim pranë Ambasadës Franceze në Kosovë, duke theksuar nevojën në rritje në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, për guida turistike të trajnuar që udhëheqin grupet në frëngjisht apo edhe në gjuhë të tjera.
Programi i trajnimit për guidat turistike frëngjisht-folës u organizua nga Breathe In Travel dhe u mbështet nga PPSE dhe Ambasada Franceze në Kosovë.