Vjeshta vjen me begati për tre kultivues të boronicave nga Kosova. Në gusht 2018, këta kultivues të boronicave morën për herë të parë certifikimin Global GAP, që u mundëson këtyre kompanive të eksportojnë menjëherë drejt Evropës boronica të freskëta.
Këto tre kompani, Blue Pearl, Santefruit dhe BerryKode janë ndër kultivuesit e parë të kësaj kulture që kanë marrë certifikatën Global GAP (Praktikat e Mira Bujqësore), që është pjesë e standardeve të sigurisë së ushqimit për konsumatorët.
“Pyetja e parë që bëjnë blerësit evropianë është ‘a keni certifikatë GAP për produktet?’ Ky certifikim është çelësi që hap dyert për të eksportuar boronica të freskëta të Kosovës” thotë Kujtim Lepaja nga shoqata Mjedra e Kosovës që ka lehtësuar procesin e certifikimit në bashkëpunim me projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat të Swisscontact-it në Kosovë.
Përveç ndikimit që certifikimi në GAP ka për prodhues individualë, ai është një hap i mirë përpara për sektorin e kultivimit të boronicave në Kosovë në përgjithësi. Ky sektor është mjaft i ri, pasi ka nisur të zhvillohet në 3-4 vitet e fundit. Fillimisht, prodhimi destinohej për tregun lokal. Por me rritjen e numrit të kultivuesve të boronicave dhe të sasisë së prodhuar, për kompanitë u paraqit nevoja që të adresojnë pengesat e krijuara dhe të kërkojnë tregje të reja të eksportit. Certifikimi i këtyre tre kompanive është lëvizje në drejtimin e duhur.