“Fidanishtja e specializuar për perime nuk është e vetmja që përfiton nga teknologjia e avancuar. Ndikimi arrin tek i gjithë zinxhiri i prodhimit dhe grumbullimit të perimeve, që rezulton në produkte më të mira dhe rritje të të ardhurave për të gjithë” thotë Dr. Skender Ramadani, pronari i Fidanishtes së Godancit.
Më 4 tetor 2018, Fidanishtja e Godancit, fidanishte e specializuar për prodhimin e fidanëve të perimeve, nënshkroi marrëveshje partneriteti me projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin privat të Swisscontact. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që ky biznes të mështetet për të përmirësuar teknologjinë e prodhimit të fidanëve dhe kapacitetet e prodhimit. Aktiviteti synon të adresojë sfidat në sistem që paraqiten nga teknologjia e vjetëruar, shkathtësitë menaxheriale të fermerëve dhe shërbimet e pamjaftueshme këshilluese.
Më tutje, kjo marrëveshje synon të krijojë një model të qëndrueshëm të bujqësisë së kontraktuar dhe praktikave të tjera të mira të prodhimit bujqësor, për të cilat, prodhimi i fidanëve është hap i rëndësishëm që ndikon direkt tek rendimenti dhe cilësia e varieteteve.