Për të patur impakt të vërtetë që gratë të ndërtojnë dhe rrisin bizneset e tyre, së pari duhet të dimë se në çfarë konteksti ato veprojnë, me cilat pengesa përballen, cilat janë përparësitë e tyre konkurruese dhe çfarë kanë nevojë që të arrijnë sukses.
Marrëveshja e nënshkruar sot mes Rrjetit të Grave Rome Ashkalie dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK) dhe PPSE synon të arrijë pikërisht këtë. RROGRAEK fillimisht do të analizojë nevojat dhe mundësitë për bizneset e grave në Prizren, Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë. Pastaj do të vijojnë trajnime sipas nevojave të bizneseve. Në fund, tre biznese që operojnë në sektorët në fokus të PPSE-së dhe që kanë potencial për rritje do të përfitojnë grante të vogla secili.
Ndryshimi sistemik që do të sjellë ky aktivitet është i dyfishtë. Nga njëra anë, RROGRAEK do të rrisë rëndësinë e vet si ofrues jo-fitimprurës i shërbimeve për gratë nga këto komunitete. Nga ana tjetër, gratë afariste pjesëmarrëse do të shërbejnë si një shembull për vajzat e reja që ato konsiderojnë ndërmarrësinë si mjet për vetë-fuqizim.