Pandemia COVID-19 ka krijuar një realitet të ri në sektorin e turizmit. Në Kosovë, realiteti i ri u shpërfaq edhe përmes promovimit të Kosovës si destinacion, me fokus më të madh tek turistët rajonalë.
"Diaspora e Kosovës ka filluar të sillet më shumë si turistë. Këtë vit pati rritje të turizmit vendas. Megjithatë, vendi duhet të tërheqë më shumë turistë rajonalë, ku Shqipëria e kryeson këtë segment. Ka vend për të rritur turizmin rajonal nga Bullgaria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia" tha drejtoresha e Swisscontact në Kosovë, Argjentina Grazhdani, gjatë një paneli mbi turizmin dhe median.
Paneli, me temën "Turizmi, kultura dhe industria, si mjete të diplomacisë publike për rrjetëzimin dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore" u organizua në prani të përfaqësuesve të agjencive të lajmeve nga rajoni. Paneli ishte pjesë e punimeve të Asamblesë së 29-të të Përgjithshme të Shoqatës së Agjencive të Lajmeve të Ballkanit në Evropën Juglindore (ABNA) të organizuar nga Kosovapress dhe të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Fondacioni Friedrich Ebert.