Kontaktoni me ne

+383 38 220 403

Kërko faqen

10 arsyet pse Kosova është destinacioni i radhës për turizmin e aventurës

Si një vend pa dalje në det, ku mund të eksploroni natyrën gjatë tërë vitit, duke i dhënë shije qëndrimit tuaj me përvoja unike të gatimeve dhe duke pasuruar shpirtin në pika të ndryshme të trashëgimisë kulturore, Kosova është destinacion që i bën thirrje shpirtit tuaj aventurier.  Mund të sfidoni veten me ngjitje në shkëmbinj, të eksploroni shpella, me çiklizëm malor, me përjetime në zipline apo të luhateni në pothuajse 900 metra mbi nivelin e detit. E gjeni relaksimin me kajake, joga në natyrë apo duke kënduar me shpirt në karaoke diku në ndonjë fshat të largët, larg turmave të zhurmshme. Gjithçka, me çmime të përballueshme nga të gjithë!  

 

Ndiqni shtegun drejt aventurës dhe argëtimit – të dërgon në Kosovë.   

  • Dy Via Ferrata: Peja dhe Zubin Potoku

Guxoni të imagjinoni se çfarë vjen pas secilit hap që hidhni dhe përgatituni për pamje spektakolare. S’ka rëndësi a keni përvojë në ngjitje malore apo jo, sepse të dy linjat Via Ferrata – një në pjesën perëndimore të vendit dhe tjetra në veri, ofrojnë qasje për të gjithë. Falë pozitës gjeografike dhe kushteve klimatike të vendit, që të dyja linjat Via Ferrata mund të shfrytëzohen pothuajse gjatë tërë vitit. Për më tepër, kontaktoni cilindo nga udhërrëfyesit lokalë të cilët janë të trajnuar, të sigurtë dhe miqësorë.

  • Shëtitje me biçikletë në Pejë, Prishtinë, Junik dhe Graçanicë

Kjo është një nga mënyrat më ekologjike për të përjetuar Kosovën. Mund të merrni me qira një biçikletë për të shëtitur vetëm, ose të bëheni pjesë e grupeve të udhëhequra dhe të vizitoni vendqëndrime historike – disa prej të cilave të mbrojtura nga UNESCO. Gjatë shëtitjes mund të shijoni atë përzierje speciale të së kaluarës dhe të tashmes, që e bën t’ia vlejë për të vizituar Kosovën. Nëse ndjeheni guximtarë dhe të përgatitur fizikisht, ia vlen të provoni shëtitje me biçikletë nëpër Bjeshkët e Nemuna apo Malet e Sharrit.    

  • Ecje në mal, kamping dhe joga

Përfytyrojeni këtë: e nisni ditën me pajisjet e ecjes në mal në çantën tuaj të shpinës. Dukje ndjekur fluturat, zbuloni formacione mahnitëse të natyrës vetëm pak kilometra larg zhurmës urbane. Ditën tjetër, zbuloni balancën tuaj të brendshme duke bërë joga në ndonjë prej vendeve më të bukura të Kosovës. Tani, jeni gati për të vazhduar eksplorimin e vendit.

 

  • Shëtitje me kajake në Liqenin e Badovcit

E kuqe, portokalli ose e verdhë. Zgjidheni ngjyrën e kajakes suaj të preferuar për të lundruar tejpërtej ujërave të kaltërta të Liqenit të Badovcit, që rrethohet nga pyje të dendur vetëm 16 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës. Peshku dhe mishi që piqen mbi zgarë ju presin kur të ktheheni nga lundrimi.

 

  • Zip-Line në Pejë

Njerëzit kanë lindur për të fluturuar dhe zip-line ju ndihmon. Kapërcejeni Grykën e Rugovës nga ajri përgjatë 640 metrave të zip-line, një nga dhjetë më të gjatat në botë. Por fillimisht ju duhet të ecni përgjatë një shtegu freskues malor për të arritur tek pika e nisjes. Po mendoni se çfarë shpejtësie do të keni? A mund t’ia kaloni erës? Mbetet në dorën tuaj për ta zbuluar.  

 

  • Eksplorimi i shpellave në Radavc

Vetëm 11 km nga qyteti i Pejës në Kosovën Perëndimore shtrihet një tunel i ngushtë që është hyrja për tek shpella e Radavcit “Bukuroshja e Fjetur”. Formacionet shkëmbore krijojnë figura shumëngjyrëse që të marrin sytë. Më në brendësi, do të shihni hauze të gurta të krijuara përgjatë shekujve nga pikat e ujit që bien. Një stalaktit në formë dore – gishtat e “Bukuroshes së Fjetur” – tregojnë drejt shtratit të shpellës, ku ndoshta gjenden thesare të fshehura nga koha.

 

  • Parku i Aventurës dhe Hulaja (Shilarësi) Gjigand

Nyjë litari, shkallë litari, shkallë druri dhe rrjetë. A mund ta thoni me shpejtësi disa herë pa gabuar? Ose më mirë, filloni përgatituni për një përvojë absolute që përmban aventurë dhe natyrë. Parku i Aventurës në Pejë, që gjendet në majë të një kodre rreth 900 metra mbi nivelin bregdetar ofron një sërë platformash ajrore të klasifikuara sipas nivelit të vështirësisë. Është aktivitet argëtues, i sigurtë dhe pamja është mahnitëse. Testoni limitet me Shilarësin Gjigand!

 

  • Ecje në dëborë në Rugovë dhe Brezovicë

Dimri erdhi. Ju merr malli për shëtitje në natyrë të paprekur. Epo, kush tha që nuk mundeni? Mbathni një palë këpucë dëbore dhe dilni të eksploroni në këmbë natyrën e ngrirë, për t’u kthyer më pas tek tryeza përplot ushqim të ngrohtë tradicional të përgatitur në enë balte, që mund ta shijoni në kasollëzat prej druri që kanë mbirë aty-këtu në fshatrat e largët malorë.

 

  • Skijim natën në shpatet e Boges

Ndjeheni romantikë apo të patrembur, apo që të dyja bashkë? Mund të provoni shkathtësitë tuaja të skijimit, por me një veçanti. Drita të posaçme ndriçojnë shtigjet e skijimit në Boge duke i bërë kështu të përshtatshme për skijim natën. Përveç se tonifikoni muskujt dhe përmirësoni qarkullimin e gjakut, ky aktivitet argëtues natën ju çon në një tejtër nivel të përvojës së skijimit.

 

  • Shtegu i Via Dinarica-s

Via Dinarica është një shteg natyror mahnitës që kalon nëpër zemër të Ballkanit Perëndimor, duke filluar në Slloveni (Alpet Dinarike) deri në Maqedoni (Vargmalet e Sharrit). Tashmë, Kosova është pjesë e kësaj përvoje të ecjes malore. Segmenti i Kosovës në Via Dinarica kalon nga fshati Reka e Allagës në Luginën e Rugovës, përmes Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, drejt Gjeravicës, që është maja më e lartë në Kosovë dhe në fund, tek Malet e Sharrit.  Adhurues të natyrës të të gjitha vendeve të botës, këtë shteg nuk duhet ta humbisni.